Me siguri ju e njihni Kosovo 2.0 si një revistë online. Por jo gjithçka që bëjmë në Kosovo 2.0 është thjesht përmbajtje gazetareske në kuptimin e ngushtë të fjalës. Teksa gazetaria jonë shpesh merr formën e një tregimi apo bisede në tekst, videos, fotografisë apo zërit, po ashtu mund të marrë formën e një ligjërate, bashkëbisedimi, mbledhjeje apo diskutimi publik; punëtorie, masterklase apo programi për të rinjtë; shfaqje e një filmi ose ekspozite arti; fushate; apo që të gjitha.
Këtë gamë të larmishme të ngjarjeve publike, nismave avokuese dhe ato të edukimit joformal i shohim si pjesë përbërëse të misionit tonë më të gjerë gazetaresk. Së pari, është thelbësore që të takohemi dhe të bisedojmë me lexuesit tanë. Duam të besojmë se gazetaria jonë është për njerëzit, për ne dhe për ty.
Së dyti, duam të tregojmë në praktikë se gazetaria e pavarur nuk i takon pak njerëzve, por shumë prej tyre! Duam të marrim kohën dhe hapësirën e mjaftueshme për t’i ndërtuar aftësitë e të tjerëve (përfshirë gazetarëve) që ta shohim politikën, demokracinë dhe gazetarinë me ndjenjën e agjencisë dhe përgjegjësisë qytetare.
Gjithçka që organizojmë në K2.0 dhe që nuk përbën përmbajtje gazetareske në kuptimin e ngushtë të fjalës, është pjesë e HUB 2.0, platformës sonë për angazhim qytetar dhe zhvillim të aftësive.
Përtej të qenit një platformë, HUB 2.0 është po ashtu edhe hapësirë fizike. Viteve të fundit kemi investuar shumë që veten dhe ata që bëjnë punë të ngjashme si kjo e jona, t’i pajisim me hapësirën dhe mjetet e nevojshme për organizimin e ngjarjeve, mbledhjeve, apo prodhimin e përmbajtjeve multimediale.