
Loja symbyllazi me të padukshmen
Fotografi nga pandemia e COVID-19 në Prishtinë.

Loja symbyllazi me të padukshmen
Fotografi nga pandemia e COVID-19 në Prishtinë.

Fotografi nga pandemia e COVID-19 në Prishtinë.
E gjitha nisi aq shpejt, saqë gjithsesi m’u kujtuan ditët e rënda para bombardimeve rreth 20 vjet më parë.
Në atë kohë i shikoja prindërit ndërsa nguteshin për t’i grumbulluar miellin dhe ushqimet që do t’i përdornim sa ishim të mbyllur në shtëpi, ose që do t’i merrnim me vete nëse do të dëboheshim.
Në mesin e asaj paqartësie kalonim shumë kohë para televizorit, të druajtur për lajmet që do t’i mësonim. Pavarësisht se a kishin filluar sulmet, ne duhet të prisnim, sepse aq mund të bënim.
Për çudi, e njëjta qetësi mbizotëron tash me pandeminë e COVID-19.
Ishim të qetë, gati të shtendosur, me mendimin se nuk do të mbërrijë te ne.
Përpiqeshim disi t’i lidhnim pikat dhe të lehtësoheshim logjikisht. Kina është larg dhe gjasat që një virus të udhëtojë aq larg janë të vogla, apo jo? “Po merren me të si duhet. E kanë ndërtu një spital brenda disa ditësh”.
Duke kujtuar se virusit s’mund të na mbërrijë, jeta vazhdoi si zakonisht.
Me ardhjen e pranverës — pas një dimri të çuditshëm — erdhën edhe kafenetë, parqet dhe këndet e lojërave përplot me njerëz. Gjithmonë kishte qenë kështu, sikur të gjithë presim që pranvera disi do të na çlirojë.




Fakti që Kosova ishte ndër shtetet e funda në rajon që konfirmoi rastet e para duket se ndihmonte këtë mendësinë dhe besimin që ishim “larg tij”. Sidoqoftë, nuk u desh shumë kohë para se të shpalleshin dy rastet e para, dhe rrjedhimisht ajo qetësi u trazua. Gjërat u vunë në lëvizje.
Ndërsa një pjesë e fshehte këtë tension, të tjerët u dorëzuan ndaj tij. Supermarketet u vërshuan nga njerëzit, sikur po afronte një luftë e re.
Kafenetë, shkollat dhe këndet e lojërave u zbrazën sa hap e mbyll sytë. Jepej një përshtypje e gjithmbarshme që jeta njerëzore papritmas kishte pushuar, dhe dëgjoheshin vetëm këngët e papenguara të zogjve. Nuk më kishte pikëlluar kurrë aq shumë mungesa e zhurmës nga loja e fëmijëve.
Rrugët filluan të laheshin me dezinfektues dhe shkallët e banesave sociale nisën të spërkateshin. Për ironi, maska u bë moda më e re, nëse mund ta quaj kështu.

Infermierët duke dalë nga reparti mjekësor në qendrën e studentëve në Prishtinë



Një infermiere duke i kërkuar një çifti të moshuar ta mbajnë distancën


Infermierët duke përgatitur pajisjet në një qendër paradiagnostikuese


Familjarët vizitojnë të dashurit e tyre nga distanca në qendrën e studentëve,

Dalëngadalë, gjithçka ra në fashë — e disi ra edhe përtokë.
Gjithçka, përveç politikës, e cila u bë më e zhurmshme, herë-herë më e zhurmshme se vetë virusi, sikur ishte një garë se kush mund të na thithte energjinë më shumë — virusi apo politika.
Ndërsa ndodhnin ballafaqimet e para me pandeminë, përfaqësuesit e sapozgjedhur u mblodhën për një votë të jashtëzakonshme, kështu duke e rrëzuar qeverinë dhe duke e përdorur atë si mundësi për ta shfaqur frustrimin, zemërimin dhe kushedi se çfarë tjetër, sikur barrën s’e kishim boll të rëndë.
Ia dolëm aq mirë, saqë u bëmë i vetmi shtet në planet — në këtë kohë më vjen më mbarë të them “planet” sesa “botë” — që votuam për mosbesimin ndaj qeverisë.





Zakonisht është vështirë të gjesh parking në Rrugën B, e cila njihet për kafenetë dhe baret e saj. <br />

Tekembramja, ne ende jemi këtu, të mbyllur në shtëpitë ose banesat tona, dhe duke ëndërruar për filxhanët e espresos dhe cigaret në tarracat me diell.
Para se të mblidhemi të gjithë në festën e lirisë, rrini në shtëpi dhe lajini duart. Mos harroni, vdekja është vërtet matanë pragut të shtëpisë dhe po na bën me dorë nga rrugët.

