
Shën Gjergji im në Prizren
Kujtimet nga “Shën Gjergji” apo “Karabashi” si i thuhet në Prizren i kam disi të turbullta. Kjo pasi që hera e fundit kur njëmend e kisha shijuar tollovinë e kësaj dite ishte moti, ndoshta 21 vjet më parë. Atëbotë përgatitjet për të fillonin ditë më parë. Një pjesë e shënimit të saj kalonte edhe kah rruga ku jam rritur — “Boris Kidriq”, tash rruga “Ismet Jashari Kumanova” dhe shtrihej nëpër gjithë Shadërvanin.
 
 
 
 Previous
 Next
 
 Shitësit, nga të gjitha viset e Kosovës, vinin disa ditë para festës për ta shenjuar me gurë apo sprej vendin ku do ta vendosnin tezgën e tyre. Kryesisht shisnin lodra e gurabi — të përgatitura enkas për këtë ditë. Normalisht nuk mungonin qebapat, pleskavicat e llojet tjera të mishit.
 
 
 Previous
 Next
 
 Shën Gjergji, në thelb, është festë për ardhjen e pranverës e motit të mirë. Në Prizren i thonë Karabash për shkak të vendit ku shënohej dita deri para disa viteve — te varrezat e vjetra osmane, ku ndodhet tyrbja e Karabash Babës — varri i një luftëtari osman. Këto varreza u mbyllën për festë me ardhjen e trupave turke te KFOR-it dhe të pranisë diplomatike turke.
 
 
 Previous
 Next
 
 Tanimë kushdo që dëshiron të vizitojë tyrben e Karabash Babës mund ta bëjë këtë, por nuk do të gjejë lodra e as shitës mobilë.
 
 
 
 
 
 
 
 Previous
 Next
 
 Një prej arsyeve kryesore të ardhjes në masë të rinisë në shënimin e kësaj dite ishte edhe gjetja e “fatit” a dashurisë së jetës. Ndoshta edhe lojërat e shumta që zhvilloheshin ishin mënyra më praktike për të krijuar lidhje, e cila mbase mund të përfundonte me martesë.
 
 
 
 Previous
 Next
 
 Festa u mbajt sivjet, pas dy viteve të ndalimit të mbledhive të tilla për shkak të Covid-19. Ndryshe prej viteve kur unë dhe shokët e lagjes i çonim të gjitha kursimet nëpër lojërat e shumta në këtë dit, Karabashi këtë vit ishte më i vogël. Njerëzit, anipse më pak në numër, sikur dëshmonin vullnet e rezistencë për ta ruajtur Karabashin në Prizren.
 
 
 Previous
 Next
 
 
 
 
 
 Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.
 
 Pse kjo klauzolë?

Ferdi Limani
Pas studimeve të gazetarisë, Ferdi filloi të punojë për gazetat ditore në Kosovë dhe bashkëpunoi me agjenci të ndryshme ndërkombëtare. Puna e tij arriti kulminacion kur u ngarkua nga Qeveria e Kosovës të dokumentojë deklaratën e pavarësisë. Që nga viti 2008 jeton në Francë dhe përfaqësohet nga agjencia LeJournal.